Chelsea arrin akordin verbal për transferimin e Ziyech në verë

Sport

Pas largimeve të Frenkie de Jong dhe Matthijs de Ligt në merkaton verore të 2019-ës, Ajaksi po përgatitet edhe për një largim tjetër të rëndësishëm në fund e këtij sezoni. Chelsea duket se ka gjetur akordin verbal me drejtuesit e kampionëve në fuqi të Holandës për transferimin në ‘Stamford Bridge’ të fantazistit Hakim Ziyech. Lojtari ka qenë shpeshherë i përfolur për një largim të tij nga Amsterdami, por duket se vetëm tani do të bëhet realitet ëndrra e marokenit për të luajtur në një nga kampionatet më të fortë në botë për momentin. Është e përditëshmja holandeze ‘Telegraaf’ ajo që ka publikuar lajmin se drejtuesit e Chelsea kanë gjetur akordin verbal dhe pritet që brenda ditëve të ardhshme, çdo gjë të finalizohet me një kontratë të shkruar.
Trajneri i ‘bluve’ të Londrës, Frank Lampard ka qenë një ndër ata që ka këmbëngulur më shumë për afrimin e Ziyech, i cili është përfolur edhe si një dëshirë e Bayern Munich apo Arsenal. Sa i përket shifrave, Chelsea do të derdhë në arkat e Ajaksit plot 45 milionë euro në fundin e këtij sezoni, për të bërë realitet këtë transferim të Ziyech. Gjithnjë sipas ‘Telegraaf’, klubet po punojnë për gjetjen e një marrëveshjeje edhe për një lojtar tjetër, emri i të cilit ende nuk bëhet i ditur. Hakim Ziyech ishte lojtari më kreativ në fazën e grupeve të ‘Champions League’-ës në këtë sezon, me 5 asiste. Ndërsa në total, kontributi i 26-vjeçarit për Ajaksin ka qenë i pazëvendësueshëm, pasi në 29 ndeshje të zhvilluara në të gjitha kompeticionet, ka shënuar 8 gola dhe ka shërbyer plot 21 asiste