Chelsea arrin akordin për Havertz, transferimi i gjermanit do të kushtojë 80 milionë euro

Sport

Pak ditë më parë u lajmërua se merkato në Angli do të zgjasë deri në muajin tetor, por duket se Chelsea nuk ka ndërmend të presë shumë sa i përket përforcimeve. Hakim Ziyech i është bashkuar skuadrës në stërvitje, ndërkohë që është siguruar edhe transferimi i Timo Werner nga Leipzig, i cili ishte ndër lojtarët më të kërkuar të merkatos. Ndërsa tani, klubi londinez është pranë zyrtarizimit të një tjetër blerjeje të madhe. Sipas asaj që raportojnë mediat kryesore të Europës, Chelsea ka arritur akordin për transferimit e talentit të Bayer Leverkusen, Kai Havertz. 21-vjeçari është përfolur shumë për një largim nga ‘Bundesliga’, duke qenë se për të interesoheshin prej kohësh shumë skuadra të mëdha të kontinentit. Mirëpo Chelsea është për momentin klubi që nuk bën kompromise sa i përket shifrave, pasi ‘blutë’ e Londrës kanë buxhetin e mjaftueshëm për të bërë blerje të tilla. Siç raportojnë mediat, transferimi i Havertz në ‘Stamford Bridge’ do t’i kushtojë Chelseat plot 80 milionë euro, ndërkohë që me afrimin e talentit 21-vjeçar, ekipi i Frank Lampard shihet si i kompletuar për të ardhmen sa i përket repartit të sulmit. Kai Havertz është lidhur në disa raste me një transferim drejt skuadrave si PSG, Real Madrid apo Liverpool, aty ku vlerësohet së tepërmi nga trajneri Jurgen Klopp. Por mesa duket, Havertz do të ndjekë rrugën e bashkëkombasit të tij, Werner, për t’u transferuar tek Chelsea e për t’u bërë pjesë e një projekti që synon t’i dërgojë londinezët në majën e Europës në vitet e ardhshme.