Champions, Zidane lavdëron Allegrin dhe Buffonin, por beson fort te Ronaldo

Sport

zidan

Një javë larg nga finalja e madhe e Champions League-ës, Zinedine Zidane flet me superlativa për kundërshtarët, por nuk lë pa përmendur as pikat e forta që sipas tij ka Reali i Madridit. Si fillim trajneri francez ka lavdëruar Massimiliano Allegrin. Zidane ka thënë se trajneri i Juventusit ka arritur të tregojë se është ndër më të mirët në botë duke rindërtuar dhe përmirësuar ndjeshëm skuadrën. “Sigurisht kjo është edhe meritë e klubit dhe e lojtarëve, por për mua merita kryesore shkon për trajnerin që është në krye të projektit, për këtë e respektoj shumë” – ka thënë Zidane për Allegrin. Duke folur për elementë në vecanti, Zidane u ndal te kapiteni Buffon. Ai tha se veterani i portës është një lider i lindur, tejet vendimtar në ecurinë e Juventusit në Champions League. Këtu ai përmendi përballjen me Barcelonën, por nga ana tjetër theksoi se Reali i Madridit ka një armë të fortë sikurse është Ronaldo. “Me të në fushë gjithcka është e mundur” – ka thënë Zidane. Këtë sezon portugezi ka thyer disa rekorde. Njëri prej tyre ishte ai i 100 golave në Champions League, apo tjetri i 7 sezoneve radhazi me më shumë se 40 gola me fanellën e Realit. Por këtë vit duhet thënë se ai nuk është aktivizuar sikurse zakonisht. “Ka qenë një vendim i marrë së bashku” – ka rrëfyer Zidane. “Kemi rënë dakord që të mbajmë formën sa më gjatë të jetë e mundur, duke pakësuar prezencën e tij në fushë në ndeshjet ku skuadra nuk e ka shumë të nevojshme” – tha francezi, duke theksuar se me 400 gola me Realin, Ronaldo e ka dëshmuar se kontributi i tij ka qenë i jashtëzakonshëm. Gjithsesi Zidane shtoi se sërish pret prej tij në finale, atje ku Los Blancos duan trofeun e 12-të në Champions League.