Champions, United kërkon të arkivojë kualifikimin në Lisbonë

Sport

yhjhjManchester United

Manchester United kërkon sot në Da Luz të Lisbonës arkivimin si e para e grupit A. Skuadra e Jose Mourinhos luan përballë Benficas, që ndeshjen e fundit në Champions League e humbi 5-0 kundër Baselit. Shqiponjave të Rui Vitorias i duhet me patjetër një rezultat pozitiv nëse duan të mbeten në lojë. Por momenti nuk është ndër më të mirët. Për këtë sfidë atyre do t’u mungojë Andre Almeida, i ndëshkuar me karton të kuq në përballjen me kampionët e Zvicrës tre javë më parë. Nga ana tjetër për Mourinhon mungesat janë po ato. Fellaini, Pogba, Bailly dhe Ibrahimovic mbeten me lëndime të rënda ndërsa Carrick, Rojo dhe Shaw janë riaftësuar por jo mjaftueshëm. Djajtë e Kuq nuk kalojnë një fazë në grupe të Champions League-ës, që prej sezonit 2013-2014-të dhe fitorja në Lisbonë do të ishte domethënëse. Për ta kjo përballje me Benfican ngjall edhe nostalgjinë e triumfit të parë në Evropë që përkon me atë finale të vitit 68-të. Në 9-të përballje me luzitanët United ka humbur vetëm 1 herë në vitin 2005-së. Statistikat tregojnë se “Djajtë e Kuq” kanë shënuar gjithmonë në sfidat kundër skuadrave portugeze ndërsa nga ana tjetër Benfica ka pësuar një mesatare prej 2 golash për ndeshje në 5 përballjet e fundit. Gjasat janë për një tjetër rezultat me gola sikurse dy ndeshjet e para kundër Baselit dhe CSKA-së. Ndërkohë për sa i përket përballjes mes këtyre të dyjave në Moskë, sfida mund të vendosë shumë për sa i përket kualifikimit pasi të dyja skuadrat kanë nga 3 pikë.