Bajern-Atletiko M., sonte ekskluzivisht në Tring Sport 1 HD. Dy trajnerë, që u kanë dhënë emrin dy stileve të kundërt, përplasen në mbrëmjen vendimtare, që do të vendosë triumfin e njërit e dështimin e tjetrit. Nga njëra anë Pep Guardiola me “tiki-taka”-n, nga tjetra Cholo Simeone me “cholizimin”. Njëri është estetika, tjetri lufta. Njëri finesa, tjetri kurajo. Pep dhe stili i tij me qarkullim të shpeshtë të topit, pasime të shkurtra dhe shpejtësi. Sfida e fundit e Guardiolas me Bajernin në Mynih sa i takon Champions League vjen me misionin e vështirë që ka për të çarë fortesën e Cholo Simeone. Ose më saktë një ekip, cilësitë kryesore të të cilit janë vrapi, presingu i lartë dhe fanela e djersitur. Argjentinasi aplikon një futboll, në të cilin mund të bëhet pa yjet. Por s´duhet t’i mungojnë punëtorët, të cilëve u kërkon sakrificë.
Ndërsa në futbollin e Guardiolas del në pah lojtari, që di të ndërrojë ritmin e lojës. Shembulli suprem në vitet e Barcelonës ka qenë Messi, i përdorur si sulmues kryesor i kamufluar. Pasi ideja e tij është që më I miri duhet të qendrojë në qendër.
Kur ishin lojtarë, 10 herë kanë luajtur si kundërshtarë me Simeonen që ka fituar 3 herë, kurse Guardiola 4 herë. Por argjentinasi është ai që ia doli të fitojë 1-0 finalen e Kupës së Mbretitit në vitin 1996.
Si trajnerë janë ndeshur një herë tjetër në 2012 në La Liga, me fitoren 2-1 të Barçës se Pep. Ndërsa një javë më parë në Madrid fitoi Simeone, falë golit të Saul, i cili me atë klas të treguar dha përshtypjen sikur luante në një skuadër të Guardiolas. Por në “Alianz Arenas” do të jetë tjetër betejë. Ajo, më vendimtarja e “tiki-takas” kundër “cholizmit”.
Molgen Balena
Tring Sport