Champions, Schmaichel dhe Ranieri besojnë fort se Leicester mbetet në lojë

Sport

sss

Leicester e humbi 2-1 ndeshjen e parë me Sevillan në Champions League, por ndjesia te kampionët e Anglisë është se ata kanë marrë një rezultat pozitiv, të paktën kështu tha pas 90-të minutave portieri Kasper Schmeichel. “Ishte një ndeshje e vështirë dhe kemi një ndjesi të çuditshme, sepse ne humbëm, por nga ana tjetër shënuam një gol në fushën kundërshtare dhe them se kjo vlen shumë” – tha danezi, i cili theksoi se përvoja e parë në Champions League mund të quhet pozitive për Leicester-in. 30-vjecari priti një penallti dhe i inkurajoi përgjatë gjithë ndeshjes shokët e tij të skuadrës. Kampionët e Anglisë vinin në këtë përballje pas një ecurie tejet negative në Premier-League. Të gjendur në vendin e 17-të, ata kanë 5 ndeshje që nuk shënojnë gol në ishull. Por sidoqoftë Claudio Ranieri është shprehur i qetë se gjërat mund të ndryshohen. “Pjesa e parë ishte tejet e vështirë, por më pëlqeu që lojtarët nuk e dhanë veten, përkundrazi luajtën me zemër. Kasper na mbajti në lojë me atë penallti të pritur, ndërsa Vardy iu rikthye golit pas një periudhe disi të vështirë. Them se gjërat mbeten të hapura për ndeshjen e kthimit” – tha Ranieri. Ndeshja e kthimit e vlefshme për 1/8-at e Champions League-ës luhet në King Power më 14 mars. Leicester do ketë ndërkohë dy sfida me rëndësi në kalendar, një me Liverpoolin dhe një me Hull City-in, ndërsa Sevilla do ketë një kalendar disi më të ngarkuar me të paktën 3 ndeshje në radhë përpara rikthimit në Champions.