8 gola në 3 ndeshjet e fundit të Champions League-ës dhe Cristiano Ronaldo, kap kuotën e plot 400 realizimeve me Realin e Madridit. Ylli portugez shënoi sërish një tripletë në derbin me Atleticon, duke e festuar më së miri fitoren në gjysmë-finalen e parë të Champions League-ës. Katër herë fituesi i Topit të Artë, tregoi dhe një herë se kur vjen puna për sfida të rëndësishme është gjithmonë aty përpara portës, për të shënuar. “Zhvilluam një lojë fantastike, jam shumë i gëzuar për faktin që fituam, për faktin se shënova tre gola në një gjysmëfinale dhe për faktin se tanimë janë plot 400 me këtë fanellë” – tha 32-vjeçari pas fitores. I pyetur se cila ishte përgjigjia për të gjithë skeptikët që vazhdojnë të thonë se karriera e Ronaldos është në rënie, portugezi tha se fusha ka treguar të kundërtën dhe të gjithë përgjigjien do të vazhdojnë ta marrin në fushë. Sulmuesi i Realit të Madridit me 3 golat ndaj Atleticos, shkon tanimë në kutoën e 10 realizimeve dhe është vetëm një më pak se Messi në garën për golashënues i sezonit në Champions League. Me argjentinasin që nuk ka më mundësi të luajë, Ronaldo mundet që t’ia kalojë duke fituar një tjetër sfidë personale me të. Në Spanjë Reali po mundohet të fitojë titullin e parë kampjon pas 5 sezonesh, dhe edhe kjo nëse arrihet do të thoshte një plus më shumë për Ronaldon. Ndërkohë në aspektin futbollistik një tjetër triumf në Champions do ta nxirrte sërish portugezin kandidat serioz për çmimin e Topit të Artë. Vlerësim që nëse do ta fitonte edhe një herë do ta barazonte me Messin, i cili e ka fituar 5 herë deri më tani.