Paris Saint-Germain pret të martën Realin e Madridit në një sfidë që edhe pse e vështirë parashikohet të jetë spektakolare. Francezët synojnë të përmbysin rezultatin e sfidës së parë të përfunduar 3-1 në Bernabeu. Unai Emery do të jetë pa Neymarin, i cili në fundjavë u operua me sukses dhe do të mungojë për rreth tre muaj. Gjithsesi edhe pa të parisienët kanë fituar dy sfidat e fundit 3-0 me Marseille-n në Kupë dhe 2-0 me Troyesin në kampionat. Shpresat janë te Di Maria dhe Cavani, autorë të 4 golave në këto dy javët e fundit. Shqetëson gjendja e Mbappesë, i cili ka patur probleme muskulore. Në anën tjetër Reali i Madridit vjen pas luhatjeve të radhës. Humbja 1-0 me Espanyolin u largua disi me fitoren 3-1 ndaj Getafes. Por treshja Bale-Benzema-Ronaldo mbetet e pa-kalibruar si duhet. Portugezi ka patur probleme fizike, ndërkohë mungesat në mesfushë të Kroos dhe Modric janë ato që e shqetësojnë më tepër Zidane-in. E pra kjo sfidë mbetet e hapur, krejt ndryshe nga sfida tjetër që luhet të martën. Liverpooli pret në shtëpi Porton. Pasi u shkaktuan portugezëve humbjen më të thellë në historinë e tyre në Evropë, të kuqtë janë të kualifikuar pasi zor se parashikohet një përmbysje 6-0 në Anfield. Vëmendja shkon te treshja Salah-Firmino dhe Mane, të cilët janë në kërkim të golave të radhës. Liverpool ka realizuar plot 28 herë deri më tani dhe gjasat janë që ky ritëm të vazhdohet edhe më tutje.