Champions, një slloven do të vendosë drejtësinë më 1 qershor

Sport

Damir Skomina është zyrtarizuar nga UEFA si njeriu, i cili do të vendosë drejtësinë në finalen e turneut më prestigjoz për klube të futbollit evropian. Për herë të parë në histori, një slloveni i është besuar të gjykojë derbin anglez mes Tottenhamit dhe Liverpoolit që luhet për aktin e fundit të Champions League, të shtunën e 1 qershorit në stadiumin “ëanda Metropolitano” të Madridit. Jure Praprotnik dhe Robert Vukan do të jenë dy asistentët, ndërsa arbitër i katërt është zgjedhur spanjolli Mateu Lahoz.
Skomina, 42-vjeçari me profesion agjent imobiliar, i cili gjykon ndeshje ndërkombëtare prej vitit 2002, firmos kështu “tripletën” e ëndrrave sa i takon xhaketave të zeza, në kontinentin e vjetër. Më parë ai ka drejtuar finalen e Europa League të vitit 2017, atë mes Ajax e Manchester United që u fitua nga anglezët, si dhe Superkupën e Europës në vitin 2012, që vuri përballë Chelsea-n dhe Atleticon, me fitoren përfundimtare të spanjollëve.
Por me këtë gjyqtar, Liverpooli nuk ka pasur aspak rezultate të mira. Sa herë që Skomina ka gjykuar takimet e Liverpoolit (në 5 raste), ‘Reds’ kanë pësuar humbje, përjashto një fitore në dhjetor të vitit 2018 kundër Napolit me rezultat minimal 1-0. Por skuadra e Klopp do të bëjë gjithcka për të thyer këtë mallkim në mënyrë që të fitojë trofeun e madh, pas një sezoni fantastik.

Skomina gjithashtu ka luajtur një rol të madh në Ligën e Kampionëve të këtij sezoni, ku ka drejtuar 4 takime. Ai u bë protagonist i fitores dramatike të Manchester United në fushën e Paris Saint-Germain, kur pasi u konsultua me VAR, akordoi penalltinë në kohën shtesë që bëri diferencën për kualifikimin e “Djajve të kuq”. Ndërsa u diskutua shumë edhe vendimi i tij përmes VAR-it, për të anuluar golin e avantazhit të mundshëm të Ajaksit në Amsterdam ndaj Realit.Ndeshjet e Liverpool me Skominan si gjyqtar
Liverpool 1-2 Fiorentina (09/12/2009)

Besiktas 2-1 Liverpool (26/02/2015)

Villarreal 1-0 Liverpool (28/04/2016)

Roma 4-2 Liverpool (02/05/2018)

Liverpool 1-0 Napoli (11/12/2018)