Champions League, United pret Sevillan në Old Trafford

Sport

mch
Manchester United synon sot të arrijë në çerekfinalet e Champions League-ës, pas 4 vitesh mungesë. Për t’ia dalë mbanë atyre u duhet patjetër një fitore, përballë Sevijës, që nga ana e saj synon të jetë mes 8 ekipeve më të mira për herë të parë pas 60 vitesh. Matematikisht, spanjollët duket se kanë probabilitet më të madh për kualifikimin më tej, përderisa përveç suksesit do t’u mjaftonte edhe një barazim me gola, kjo, duke pasur parasysh se në Ramon Sanchez Pizjuan, rezultati i 90 minutave të para u mbyll 0-0.

mch3

“Djajtë e kuq” paraqiten sonte në një formë të kënaqshme, kjo pas fitores me Liverpulin, ku heroi i ndeshjes ishte Markus Rashford. Krejt ndryshe është ecuria e andaluzëve, që kanë luhatje në La Liga. Ata vijnë pas një humbjeje 2-0 ndaj Valencias, që ishte rezultati i dytë negative në 4 sfidat e fundit për skuadrën e Montelës. Ndërkohë statistikat u buzëqeshin anglezëve. Ata kanë arritur të fitojnë 11 nga 15 sfidat e dyfishta në kompeticionet e UEFA-s, kur kanë barazuar takimet e para në transfertë.

sevilla

Ndërsa, spanjollët nuk kanë fituar kurrë në 6 përballjet e luajtura në Angli. Për më tepër, Sevija i sjell fat Murinjos, që gëzon një rekord pozitiv prej 7 fitoresh në 8 ndeshje ndaj andaluzëve, në kohën kur ishte trajner i Realit të Madridit. Sonte, “Special One” ka 4 të pasidponueshëm si mbrojtësit Roho, Xhons e Blind, por edhe mesfushorin Herrera. Nga ana tjetër, Montela ka të gjithë “arsenalin” në dispozicion, teksa me shumë mundësi do të vazhdojë të besojë te Muriel në sulm, duke lënë në stol Ben Yeder, shënuesin e 6 golave në këtë edicion të Champions.