Manchester United pret të martën Sevillan, në një ndeshje që do të jetë vendimtare për të përcaktuar çerekfinalisten e këtij çifti në UEFA Champions League. Old Trafford do të jetë sërish pika mbështetëse e Djajve të Kuq, të cilët vijnë pas një fitoreje domethënëse ndaj Liverpoolit në kampionat. Me ndeshjen e parë të mbyllur zero me zero, të gjitha rezultatet vlejnë. Mourinho synon të thyejë djetën prej 5 vitesh të United-it që i ka munguar prej kaq kohësh këtyre niveleve të futbollit Evropian. Në shtëpi Djajtë kanë humbur vetëm 1 ndeshje këtë sezon. City është e vetmja skuadër që ka marrë fitore në Old Trafford dhe sfida duket tejet e vështirë për Sevillan e Vincenzo Montellas që kurrë nuk kanë fituar një fazë me eliminim direkt në UEFA Champions League. Luhatjet në rezultate vazhdojnë për andaluzët, të cilët në fundjavë humbën 2-0 një ndeshje delikate me Valencian. Në Spanjë, Los Murcielagos i kanë nxjerrë ata jashtë lojës për një vend në Champions League dhe Montella rrezikon shumë. Paralelisht në Romë, verdhekuqtë e Eusebio Di Francescos luajnë ndeshjen e kthimit me Shakhtar Donets. Pas humbjes 2-1 në Ukrainë, italianët synojnë përmbysjen duke e ditur se do jetë mision i vështirë. Roma vjen pas 2 fitoresh të rëndësishme në kampionat. 4-2 ndaj Napolit dhe 3-0 ndaj Torinos, fitore këto që kanë shtuar shanset për një vend mes 4 më të mirave të Serie-A-së. Por përballë skuadra e Di Francescos ka një skuadër që zor se pëson gol. Ai i Under në Ukrainë është i vetmi i pësuar nga minatorët në 5 sfidat e fundit, ku nga ana tjetër kanë mundur të realizojnë plot 21 gola.