Champions League/ Spanja prezantohet vetëm nga Real Madrid në raundin me eliminim, përsëritet historia e vitit të largët

Sport

Futbolli spanjoll po kalon momente shumë të vështira në Champions League dhe këtë e tregojnë statistikat e këtij sezoni. Real Madrid është skuadra e vetme nga La Liga që është kualifikuar përtej fazës së grupeve të kompeticionit.

Një gjë e tillë nuk kishte ndodhur asnjëherë që prej viti të largët 1998-të, dhe atëherë ishte pikërisht Reali që kalonte më tej.

Këtë edicion, pjesëmarrës në Grupin D, me skuadra si Leipzig, Shakhtar Donetsk dhe Celtic, 14 herë kampionët e Europës klasifikohen në krye me 10 pikë, ndërkohë që janë luajtur 5 javë. Vend i parë ende nuk është siguruar, ndërsa bileta në raundin e 1/8-tave po.

Një gjë të tillë nuk kanë mundur ta bëjë dot Barcelona, Atletico Madrid dhe Sevilla, të cilat kanë përfunduar që të 3-ja në Europa League.

Në mbrëmjen e së mërkurës, në Grupin C, Barcelona u mposht 3-0 nga Bayern Munich në Camp Nou. Sidoqoftë, katalanasit e kishin mësuar fatin e tyre ende pa zbritur në fushën e lojës, si pasojë e fitores së Interit me rezultatin 4-0 ndaj Viktoria Plzen. Ky është sezoni i dytë i njëpasnjëshëm që Barcelona eliminohet që në fazën e grupeve.

As Atletico e Grupit B, nuk ia doli dot të mbetej në lojë, të paktën deri në xhiron e fundit. Rojiblancos e kishin këtë mundësi ndaj Bayer Leverkusen mbrëmjen e së mërkurës, por Carrasco gaboi nga pika e bardhë e penalltisë në momentet e fundit të sfidës.

Më tej, Sevilla u rendit e 3-ta në Grupin G, pas Manchester Cityt dhe Borussia Dortmund.

Në të tilla rrethana, shtypi spanjoll e ka quajtur të turpshëm një moment të tillë, duke qenë se vendi i tyre tashmë prezantohet me vetëm një skuadër në fazën me eliminim të Champions League. Kësisoj, nga 5 kampionatet kryesore të Europës, Spanja renditet si vendi me më pak skuadra për në raundin tjetër të Champions League.