Champions League/ S’ka fitues në Portugali, Di Maria kthehet në lojtar thelbësor për Juventusin

Sport

Sfida e luajtur mes Benficës dhe PSG, e vlefshme për javën e 3-të të Grupit H, prodhoi spektakël, por në fund nuk pati asnjë fitues. Në Da Luz, gjithçka përfundoi me shifrat 1-1. Fillimisht, ishte Lionel Messi ai që kaloi francezët në avantazh, me një gol kryevepër të realizuar në limite të zonës.

Benfica ishte kundërshtari i 40-të që Messi i ka shënuar në Champions League. Asnjë lojtar tjetër në historinë e kompeticionit nuk ka shënuar dot ndaj kaq shumë kundërshtarëve të ndryshëm sa 7 herë fituesi i Topit të Artë.

Më tej, Benfica besoi në lojën e saj dhe u shpërblye në minutën e 41, kur Danilo realizoi autogol në portën e tij. Më pas, rezultati  mbeti i pandryshuar deri në fërshëllimën e fundit.

Nga Portugalia, zhvendosemi në Torino, në sfidën tjetër të Grupit H. Juventusi ka gjetur fitoren e parë këtë sezon në Champions League, duke mposhtur me shifrat 3-1 skuadrën e Macabi Haifa. Për të besuarit e Massimiliano Allegrit shkëlqeu Angel Di Maria, i cili ishte lojtari që dhuroi të 3-ja pasimet për gol. Argjentinasi shërbeu dy herë për Adrien Rabiot dhe një herë tjetër për Dusan Vlahoviç.

Jo vetëm kaq, por Di Maria është bërë lojtari i parë i Juventusit që nga sezoni 2003/04, që shërben 3 asist brenda një ndeshje të vetme në Champions League. Një tregues ky se mëngjarashi është kthyer në një lojtar thelbësor për 36 herë kampionët e Italisë.

Kur jemi ende në gjysmëtë rrugës së fazës së grupeve, në Grupin H, Parisi dhe Benfica kanë udhëheqin me nga 7 pikë. Ndjek Juventusi me 3 pikë, ndërsa Macabi Haifa renditet e fundit pa asnjë pikë.