Ndërkohë që janë luajtur 5 javë nga faza e grupeve në Champions League, situata në Grupin D është bërë mjaft dramatike. Të 4-ta skuadrat janë në garë për t’u kualifikuar, duke filluar nga Tottenham që mban kreun me 8 pikë, ndjekur nga Sportingu dhe Frankfurti me 7, dhe Marseille e vendit të fundit me 6 pikë.
Në xhiron e javës së 5-të, Tottenham dhe Sporting, nuk shkuan më shumë sesa një barazim 1-1 në tokën angleze. Ishin miqtë ata që kaluan të parët në avantazh me anë të Marcus Edëards në minutën e 22. Nga ana tjetër, vendasit e rikthyen sfidën në ekuilibër vetëm në minutën e 80-të me anë të Rodrigo Bentancur.
Situata do të bëhej mjaft dramatike në minutat e fundit, duke qenë se Harry Kane shënoi, por ndërhyrja e VAR-it për një pozicion të parregullt shuajti festën e vendasve. Si pasojë, trajneri Antonio Conte u ndëshkua me karton të kuq.
Në ndeshjen tjetër të Grupit D, Frankfurti fitoi me rezultatin 2-1 përballë Marseille. Gjermanët e arritën një gjë të tillë me golat e shënuar nga Kamada dhe Kolo Muani, të cilët zhvlerësuan finalizmin e Guendouzi.
Në të tilla kushte, 4 skuadra ndahen nga vetëm 2 pikë diferencë. Asnjë skuadër nuk është e kualifikuar, teksa gjithçka do vendoset në javën e ardhshme, në atë që është njëkohësisht edhe xhiroja e fundit.
Tottenham luan në transfertë ndaj Marseille, kurse Sportingu pret në shtëpi gjermanët e Eintracht Frankfrt.