Sevilla luan sot ndeshjen më të rëndësishme të historisë 128 vjeçare të saj. Himni i UEFA Champions League-ës do të dëgjohet sërish në Ramon Sanchez Pizjuan dhe kësaj radhe do të jetë për fazën çerek-finale dhe kundërshtar do të jetë një tjetër klub kampion sikurse është Bayerni i Munich-ut. Pas surprizës në Old Trafford ku eliminuan Manchester United-in, Vincenzo Montella ka ndezur optimizmin në radhët e andaluzëve dhe sot ata luajnë pa presione. Fundjava ishte një tjetër shembull për kapacitetet e kësaj skuadre. Vetëm Lionel Messi i ndali ata që të mos mundnin Barcelonën për herë të parë për këtë sezon të La Ligas.
Sot vëmendja shkon sërish te Ben Yedder, golashënuesi i andaluzëve në Champions League. Ai mban emrin në 10 nga 14 golat që Sevilla ka shënuar këtë sezon. Interesant është fakti se Sevilla ia ka dale ta mbajë portën e paprekur në 17 ndeshje dhe nga 48 të luajtura në total në të gjitha kompeticionet, nuk ka mundur të realizojë as dhe një gol në vetëm 8 prej tyre. Duke folur për golat, plot 6 arriti të realizojë në fundjavë Bayerni i Jupp Heynckessit kundër Dortmundit në Bundesligë. Që me ardhjen në krye të mjeshtrit të moçëm, bavarezët kanë rreshtuar 27 fitore në 30 ndeshje të luajtura. 5 herë kampionët e Evropës synojnë të mbajnë të njëjtin hap, por statistikat tregojnë se në 5 ndeshjet e fundit në Spanjë ata nuk kanë mundur të fitojnë. Për Sevillan nuk luan sot Banega, i pezulluar, ndërsa probleme kanë pasur Navas, Mercado dhe Corchia. Për Bayernin të lënduarit mbeten Neuer dhe Coman.