Champions League, Roma udhëton në Kharkiv për t’u përballur me Shakhtarin

Sport

pions league roma udheto

Shakhtar Donetsk pret sot në Kharkiv Romën e Eusebio Di Francescos në sfidën e parë që vlen 1/8-at e UEFA Champions League. Dueli parashikohet të jetë i vështirë jo vetëm prej gjendjes dhe pretendimeve që kanë skuadrat, por edhe prej temperaturave të ftohta që së fundmi janë luhatur nga -4 deri -10 grad celcius. Italianët vijnë pasi kanë rikuperuar një formë të mirë. Fitoret në 3 ndeshjet e fundit kanë ardhur falë turkut Under, autor i 4 golave dhe gjasat janë që ai të jetë në fushë edhe sot. Nga organika Roma ka vuajtur shqetësimet e Florenzit, i cili është ankuar me dhimbje barku. Do të mungojë ndërkohë francezi Gonalons. Kështu në mesfushë rikthehet De Rossi ndërsa në të djathtë pritet ta nisë nga minuta e parë braziliani Bruno Peres. Kjo do të jetë ndeshja e pestë kundër Shakhtarit në Evropë. Në katër sfidat e kaluara, Roma ka humbur 3 herë dhe në total në këto duele janë shënuar 13 gola. Verdhekuqtë nuk kalojnë një fazë të 1/8-ve prej 10 vitesh dhe detyra e Di Francescos duket e vështirë. Nga ana e Shakhtarit, Paulo Fonseca ka patur mjaftueshëm kohë për të studiuar rivalët, kjo pasi kampionati ukrainas rifilloi pas pushimit dimëror vetëm këtë fundjavë. Minatorët kryesojnë kampionatin vendas dhe në Champions janë treguar tejet të fortë pasi ia dolën mbanë në një grup me Napolin e City-in, madje duke i mundur 2-1 anglezët në ndeshjen e fundit. Por Roma beson se po të ripërsërisë formën e paraqitur ndaj Chelsea-it dhe Atleticos gjërat mund të shkojnë mirë për ta.