Përfundimisht, Reali i Madridit mund të konsiderohet kampion i padiskutueshëm i Evropës. Los Blancos shënuan më 22 shkurt, fiks 1000 ditë. 24 mijë orë, apo ndryshe 1 milionë e 440 mijë minuta që mbajnë kurorën e Champions League-ës. 1 mijë ditë në majën maksimale të futbolllit kontinental datojnë fillimin 28 majin e vitit 2016-të, kur Sergio Ramos ngriti lart Undeciman në Milano. Asnjë klub tjetër nuk ka mundur të mbetet në krye kaq gjatë sa Los Blancos. Tre tituj radhazi në UEFA Champions League dhe në Spanjë i kushtuan vëmendje të veçantë kësaj arritjeje të Realit. Që prej mbrëmjes në Milano të vitit 2016-të, Reali ka diskutuar 33 ndeshje të Champions League-ës. Nga kjo seri përballjesh unike janë sfida në Cardiff që i dhuroi atyre Duodeciman dhe përballja e Kievit që i dha madrilenëve Decimoterceran.
Në total gjatë këtyre 1000 ditëve në Evropë Los Blancos kanë fituar 23 ndeshje, kanë barazuar 5 dhe kanë humbur gjithashtu 5. Ata kanë mundur të shënojnë 83 gola dhe 40 të pësuar. Mesatarja e 2.5 golave për ndeshje është një tjetër statistikë që tregon se kur vjen puna për Evropë Reali nuk po di ta sosë oreksin. AS shkruan se merita kryesore për këtë mbretërim është e Zinedine Zidane, që e mori skuadrën pas largimit të Rafa Benitezit, janarin e vitit 2016-të dhe arriti ta shkruajë emrin në historinë e klubit edhe si trajner. Sigurisht hapësirë për mirënjohje në këtë pjesë edhe për Ronaldon. Portugezi ishte golashënues i kompeticionit në të treja sezonet, për një total prej 43 realizimesh që e ngjisin atë në kuotën e 121 golash, askush më shumë se ai. Por pyetja që mbetet është: edhe sa do të vazhdojë Reali të jetë kampion në Evropë?