Champions League, PSG në kërkim të përmbysjes, Reali garancinë

Sport

 

psg real madrid
Paris Saint-Germain kërkon sot të harrojë “remontadan” e Bernabeut dhe të eliminojë kampionët në fuqi të UEFA Champions League. Ky është objektivi i deklaruar i skuadrës franceze edhe pse ndryshe nga sfida e Shën Valentinit, në fushë kësaj radhe nuk do të jetë Neymar. Braziliani, javën që shkoi, vuajti një frakturë në këmbë dhe u operua. Do të mungojë për rreth 3 muaj. Kështu pa atë në fushë, treshja do të jetë Mbappe-Cavani-Di Maria. Kjo treshe ka nisur bashkë vetëm 6 herë këtë sezon. Supersticiozët thonë se e 7-ta do jetë fatsjellëse për Parisin, por kjo mbetet për t’u parë. Në Parc de Prënc, në fazën në grupe, PSG ka realizuan 15 gola, 3 madje kundër një prej pretendentëve si Bayerni i Munich-ut. Të paktën tre nevojiten edhe sot. Por përballë PSG ka kampionët në fuqi, ata të cilët kërkojnë ta mbrojnë trofeun për të dytin vit radhazi. Për Zinedine Zidane Champions League-a mbetet trofeu i vetëm në lojë dhe vëmendja është e tëra në këtë kompeticion. Së fundmi është parë në fushë BBC-ja e famshme. Bale dhe Benzema janë rikthyer të luajnë bashkë me Ronaldon, por është prej këtij të fundit që PSG duhet të ruhet më tepër. 14 gola në 8 ndeshje, flasin për një formë të përkryer të portugezit, edhe pse në fundjavë pati disa probleme fizike. Zidane grumbulloi në moment të fundit Modric dhe Kroos, të cilët thuhet se janë riaftësuar nga lëndimet që kanë patur.