Champions League, Porto pret Liverpoolin një sfidë ku priten gola

Sport

liverpoolpopo

Do Dragao mirëpret sot për herë të tretë Liverpoolin, skuadër të cilën Porto nuk e ka mundur kurrë. Sergio Conceicao ka kërkuar nga tifozët mbështetje pasi të kuqtë kanë të dhëna pozitive në përballjet me klubet portugeze dhe skuadrës i duhet edhe lojtari i 12-të. Në 20 sfida Liverpooli ka fituar 9 dhe barazuar 5. Nga ana tjetër Porto nuk ia del mbanë përballë klubeve angleze. Statistikat bëjnë fjalë për plot 33 përballje prej të cilave 16 janë humbjet dhe 8 fitoret, ku vetëm 2 prej tyre janë regjistruar pas vitit 2006-të. Shumë është folur për këtë sfidë, të dyja skuadrat këtë sezon, kanë dhuruar ndeshje me plot gola në Champions. Porto ia doli të kualifikohej nga Grupi G duke realizuar 15 gola, 5 vetëm në sfidën e fundit me Monacon. Liverpooli mbylli Grupin E me fitore 7-0 ndaj Spartakut dhe me një total prej 23 realizimesh në këtë fazë. Që prej muajit dhjetor ata kanë gëzuar të tjera rezultate me gola ku Salah dhe Firmino kanë qenë protagonistë absolutë. Egjiptiani ka shënuar 29 herë deri më tani ndërsa braziliani 20. Nga ana tjetër te Porto gëzojnë rendimente të ngjashme Aboubakar dhe Moussa Marega që kanë shënuar 26 dhe 17 gola, por kamerunezi ka qenë i lënduar këtë periudhë. Sidoqoftë ai është i grumbulluar për këtë sfidë dhe Conceicao i ka shpresat edhe te zëvendësuesi i tij Soares që realizoi 2 gola në fundjavë.