Champions League, ‘Play-Off’ luhen sot tre biletat e fundit për në fazën në grupe

Sport

UEFA Champions League
Në Selanik e kanë një ëndërr dhe ajo është që PAOK-u, skuadra e tyre, të mund të kualifikohet për herë të parë në UEFA Champions League. Kjo ëndërr është shumë pranë, teksa grekët presin në shtëpi 2 herë kampionët e Evropës, Benfican. Portugezët u shtangën në ndeshjen e vajtjes teksa u barazuan 1-1 nga goli i egjiptianit Amr Warda dhe kjo fazë “Play-Off”-i duket vazhdimësi e zhgënjimit të sezonit të kaluar ku luzitanët i humbën të gjashta përballjet e grupeve. Sidoqoftë sfida mbetet e hapur edhe pse në letër janë të avantazhuar grekët. Në Holandë PSV Eindhoven do të mundohet të mbyllë llogaritë me BATE Borisovin.

UEFA

Skuadra e Van Bommel fitoi në Bjellorusi me shifrat 3-2 një ndeshje me mjaft ritëm që u vendos vetëm në fund nga goli i Malen. Të gjithë duken mjaft optimistë për një rikthim të PSV-ës në fazën në grupe të Champions League-ës, pas dy sezonesh. Por sot padyshim ndeshja më e hapur është përballja Salzburg-Crvena Zvezda. Në ndeshjen e parë serbët arritën të mbajnë një barazim 0-0 në stadiumin e tyre të boshatisur nga dënimi i UEFA-s për të luajtur pa tifozë. Dikur kampionë të Evropës, bardhekuqtë nuk figurojnë në Champions League që prej vitit 1992. Ata kanë një formë fantastike këtë vit, duke mos njohur humbje që prej muajit maj. Nga ana tjetër edhe austriakët janë po në të tilla nivele dhe për këtë kjo sfidë parashikohet të jetë tejet e zjarrtë.