Champions League, Pique thotë se Barcelona duhet të jetë e kujdesshme ndaj Chelsea-it

Sport

pique

Pas javës së parë të sfidave të 1/8-ve në Champions League publiku është i paduruar për sfidat e radhës, ku sigurisht ajo më kryesorja do të jetë Chelsea-Barcelona. Pikërisht për këtë përballje ka folur Gerard Pique. Mbrojtësi i katalanasve, i cili po riaftësohet nga një lëndim në gju, ka thënë se përballja me Blutë e Londrës nuk duhet nënvlerësuar, pavarësisht se Barça, sipas tij, ka bërë jashtëzakonisht mirë deri në këtë pjesë të sezonit. Skuadra e Ernesto Valverdes kryeson La Ligan, është në finalen e Kupës së Mbretit dhe nga ana tjetër kaloi fazën në grupe të Champions League-ës, pa asnjë humbje. Megjithëse ia njeh cilësitë skuadrës së Antonio Contes, Pique thekson se nëse vazhdohet të luhet në të njëjtën mënyrë, atëherë Barcelona mund t’ia dalë ta cojë deri në fund sezonin e mirë që po bën. “E di që atmosfera është pozitive, por na duhet të jemi të kujdesshëm, pasi përpara s’kemi një skuadër dosido. Kemi mësuar nga e kaluara dhe them se nëse vazhdojmë me të njëjtën lojë gjërat mund të shkojnë në rrugën e duhur” – ka thënë 31-vjecari, i cili më 4 shkurt, vuajti një lëndim në gju në përballjen me Espanyolin, sfidë të cilën falë tij Barcelona nuk e humbi. Gjithsesi ai iu rikthye stërvitjes të premten dhe me shumë gjasa do jetë në dispozicion të Valverdes për përballjen e 20 shkurtit në Stamford Bridge.