Champions League/ Manchester City “komandon” Grupin G, Haaland i pandalshëm

Sport

Manchester City merr komandën e Grupit G në Champions League. Në javën e dytë, Cityzens pritën në shtëpi skuadrën e Borussia Dortmund dhe arritën të fitonin me rezultatin e ngushtë 2-1. Në fakt, për të marrë 3 pikë, skuadrës së Pep Guardiolës iu desh të përmbyste rezultatin.

Ndonëse nuk arriti ta ruante dot epërsinë deri në fund, Dortmundi tregoi forcë dhe kualitet. Pas një pjese të parë pa gola, skuadra gjermane kaloi në avantazh në minutën e 56-të me autor Jude Bellingham.

Ky ishte goli me numër 4 në Champions League për anglezin. Asnjë bashkëkombas i tij në moshën 19 vjeçare nuk ka arritur të realizojë ndonjëherë kaq shumë në këtë moshë në kompeticionin më prestigjoz të klubeve. Nuk mbaron këtu. Kjo ishte ndeshja e 18-të e Bellingham në Champions League, duke u bërë 19 vjeçari i parë anglez në histori që luan kaq shumë ndeshje deri në këtë moshë.

Më tej, për t’u rikthyer tek sfida, Manchester City riktheu barazpeshën në minutën e 80-të me një gol që mund të konsiderohet jashtë imagjinatës së çdo mbrojtësi. E djathta e furishme e John Stones nga jashtë zonës, përfundoi në trekëndësh, duke e lënë të palëvizur portierin mik, Meyer.

Nga ky moment, do të kalonin vetëm 4 minuta, kur i pandalshmi Erling Haaland ndëshkoi ish-skuadrën e tij me një veprim akrobatik, në atë që rezultoi edhe goli i fitores për Manchester Cityn. Ky ishte goli i 26-të i norvegjezit në paraqitjen e tij të 21 në Champions League. Sulmuesi i qendrës ka një mesatare të frikshme në realizimin e golave, duke shënuar në çdo 62 minuta.

Haaland vendosi edhe një tjetër rekord në Champions. Vetëm 22 vjeç e 55 ditë, shtatlarti u bë futbollisti më i ri i Champions League që me një skuadër të vetme, në këtë rast me Dortmundin, shënon gol si lojtar i saj dhe kundërshtar i saj.

Sa i përket ndeshjes tjetër të Grup-it G, Copenhagen dhe Sevilla janë ndarë në një barazim 0-0, me të dyja skuadrat që morën edhe pikën e tyre të parë këtë sezon në Champions, çka i bën që të klasifikohen përkatësisht në vendin e 3 dhe të 4. City kryesues i Grupit me 6 pikë, në takimin e radhës pret Copenhagenin në shtëpi, kurse Dortmund ii vendit të dytë, luan në transfertën andaluziane të Sevillas.