Champions League/ Kualifikohen 3 skuadrat e para nga faza play-off

Sport

Kompeticioni më i lavdishëm i klubeve në Europë, UEFA Champions League, është njohur me 3 skuadrat e para të kualifikuara nëpërmjet fazës play-off, të cilat u janë bashkuar 26 të tjerave, që janë në pritje të shortit të së Enjtes. Të Martën mbrëma, nuk pati ndonjë rezultat surprizues, teksa Braga, Galatasaray dhe Young Boys kanë siguruar zyrtarisht biletën në fazën e grupeve.

Pasi një javë më parë, portugezët e Bragës, triumfuan 2-1 në shtëpinë e tyre ndaj Panathinaikos, ata arritën ta bënin një gjë të tillë edhe në tokën greke, duke fituar minimalisht me shifrat 1-0. Golin e vetëm të sfidës e shënoi Bruma në minutën e 83-të, duke e çuar rezultatin e përgjithshëm në 3-1.

Si pasojë, Braga është kualifikuar në fazën e grupeve të Champions League, vetëm për të 3-tën herë në historinë e klubit dhe për herë të parë në 11 edicionet e fundit. Në të dyja rastet e mëparshme, Braga është eliminuar që në grup.

Më tej, Galatasaray ka fituar 2-1 në shtëpi ndaj Molde, falë golave të Mauro Icardit dhe Angelinos, ndërsa golin e vetëm të ekipit norvegjez e shënoi Hestad, që barazoi përkohësisht shifrat. Duke marrë parasysh edhe rezultatin e ndeshjes së vajtjes, skuadra e Okan Buruk fitoi 5-3. Në këtë mënyrë, Galatasaray ka siguruar kualifikimin në Champions League për të parën herë që nga sezoni 2019/20-të. Ky ishte kualifikimi i 17-të u turqëve në Champions, aq sa të gjitha klubet e tjera së bashku.

Pjesë e fazës së grupeve është bërë edhe Young Boys, që pasi kishte barazuar pa gola ndaj Macabi Haifa në Izrael, në shtëpi nuk hasi aspak probleme, duke fituar pastër, 3-0, falë autogolit të Itten, golave të Seck dhe Ugrinic.

Kjo është pjesëmarrja e 3-të e zviceranëve në Champions League dhe të gjitha kanë ndodhur vetëm në 6 sezonet e fundit.