“Ngjita shkallët dhe më thanë se ishte kualifikuar Roma, thashë se mos po bënin shaka… jo se nuk e respektoj Romën, por ata humbën Salahn dhe tashmë shikoni ku janë, në gjysmë-finale” – kështu e shpjegoi situatën e së martës mbrëma Jurgen Klopp nga Manchester, pasi Liverpooli eliminoi City-in duke e përmbysur 2-1 edhe në shtëpi. “Si fillim mendohej se një finale krejt normale do të kishte qenë City-Barcelona, por ja që tani që të dyja këto skuadra janë jashtë” – shtoi më tej gjermani teksa nënvizoi se sipas tij Champions League-a është një kompeticion i drejt dhe që vetëm ata që e meritojnë më tepër bëjnë përpara.
Goli i 39-të sezonal i Momo Salahs ishte një tjetër mbrëmje e jashtëzakonshme për egjiptianin, por Klopp preferoi të flasë më tepër për grupin. Ai lavdëroi Manen dhe Firminon duke theksuar se mënyra se si skuadra reagoi pas pjesës së parë, ishte shenja perfekte se kjo skuadër meriton të fitojë trofe. Gjermani theksoi se t’i shënon 5 gola City-it dhe të pësosh vetëm 1 është dicka që nuk ndodh shpesh dhe që s’është se imagjinohej lehtësisht përpara se të dyja sfidat të luheshin. Ndërkohë Liverpool të martën vendosi një tjetër rekord duke u bërë skuadra që shënon më tepër në një sezon të Champions League-ës. Goli i Firminos ishte i 33-ti dhe me këtë ata lanë prapa rekordin e United-it të 2003-it që e mbyllte edicionin me 32 gola.