Champions League, Juventusi pret sot Realin 10 muaj pas finales së Cardiffit

Sport

 

juve real 3 prill
10 muaj pas finales së Cardiffit, Juventus pret sot në Torino Realin e Madridit për të shkruar një tjetër kapitull të rivalitetit mes tyre. Sfida e 20-të sheh një duel vendimtar sidomos për sezonin e madrilenëve të cilët Champions League-ën, e kanë trofeun e vetëm të mbetur në lojë për këtë sezon. Nga ana tjetër çerekfinalet janë një shans revanshi për bardhezinjtë të cilët gëzojnë një statistikë optimiste në përballjet e dyfishta me Realin. Ata kanë bërë gjithmonë përpara kundër madrilenëve që prej sezonit 1986-87 dhe hera e fundit që i kanë eliminuar kampionët aktual ka qenë tre sezone më parë. Në 2015-ën, Juventus fitonte me rezultatin e përgjithshëm 3-2. Ndërkohë në 7 ndeshje të luajtura në shtëpi, ata kanë humbur vetëm një herë me madrilenët, në vitin e largët 1962.

juve

Këto janë statistikat që favorizojnë sot Juventusin, por edhe Reali ka statistikat e tij. 12 herë kampionët e Evropës luajnë sot cerek-finalet për herë të 35-të në historinë e tyre. Asnjë skuadër tjetër nuk ka më shumë përvojë se ata në të tilla nivele. Los Blancos kanë shijuar dy tituj të Champions League-ës duke mundur pikërisht bardhezinjtë ndërsa Cristiano Ronaldo është në një formë të jashtëzakonshme me 22 gola në 13 ndeshjet e fundit. Në fundjavë kundër Las Palmasit portugezi bëri pushim, ndërsa Juventusi u detyrua të luajë me kapacitet të plotë në fitoren 3-1 ndaj Milanit. Sot për bardhezinjtë nuk luajnë Pjanic dhe Benatia, të cilët janë të pezulluar, ndërsa për Realin janë riaftësuar Isco dhe kapiteni Sergio Ramos.