Barazimi në Jose Alvalade përballë Sportingut e ka bërë të detyrueshëm për Juventusin që ndaj Barcelonës më 22 nëntor të mos humbasë. Supersfida e Grupit D ka vënë në lëvizje menjëherë tifozerinë e bardhezinjëve aq saqë biletat për këtë ndeshje të shiten menjëherë në pak minuta. Vetë klubi ka njoftuar në web-faqen e saj zyrtare se ka pasur një bum interesimi edhe pse çmimet kanë qenë relativisht të larta duke kapur edhe shifra të mbi 900 euro. Në javën e pestë të fazës në grupe në Juventus Stadium të Torinos pritet të mos ketë asnjë vend bosh. Në muajin që shënon 120-vjetorin e klubit, bardhezinjtë kanë premtuar edhe një koreografi të veçantë për këtë superndeshje. Një fanellë e kushtuar për këtë përvjetor u pa në Serie-A në përballjen me Beneventon, ndërsa në rastin e Champions League-ës asgjë nuk është konfirmuar zyrtarisht. Duhet thënë se java e parë e këtij sezoni në arenën evropiane nisi me një zhgënjim për bardhezinjtë të cilët u mundën 3-0 në Camp Nou. Situata në Grupin D sheh Barcelonën në krye me 10 pikë. Vendi i parë për Juventusin është pothuajse i pamundur, por edhe kualifikimi është disi në diskutim, kjo pasi Sportingu në vendin e tretë është 3 pikë larg. Nënkampionëve të Evropës nuk u tolerohen gabimet, prandaj tifozët kanë rendur të prenotojnë prezencën për të dhënë mbështetjen e tyre.