Champions League, janë luajtur 3 ndeshjet e tjera të play-off

Sport

Janë luajtur edhe 3 ndeshjet e tjera të vajtjes për fazën e paly-off të UEFA Champions League. Takimi mes Dynamo Kyiv dhe Benficas, që për shkak të situatës në Ukrainë, u luajt në një stadium neutral, në Poloni, përfundoi me shifrat 2-0 për portugezët.

Të dy golat u shënuan që në pjesën e parë. Si fillim ishte Gilberto në minutën e 9-të. Mbrojtësi shkarkoi një të djathtë të fortë, duke ia bërë të pamundur portierit kundërshtar që të reagonte siç duhet.

Më pas, në të 37-tën, ishte radha e Gonçalo Ramos, i cili e shfrytëzoi në maksimum pasigurinë e prapavijës së Dynamos dhe dyfishoi shifrat. Një rezultat komod, që i jep Benficas një qetësi psikologjike për ndeshjen e kthimit. Skuadra e shqiponjave, duke një hap më pranë fazës së grupeve të Champions League.

Nga Polonia, zhvendosemi në Israel, aty ku Macabi Haifa dhe Crvena Zvezda zhvilluan një 90 minutësh spektakolar, që në total prodhoi 5 gola. Një sfidë me përmbysje dhe ripërmbysje, por në fund, fati ishte në anën e skuadrës së Haifas, që fitoi me rezultatin 3-2.

Si fillim, vendasit kaluan të parët në avantazh me anë të Pierrot në minutën e 18-të, por Pesiç dhe Kanga, në të 27-tën dhe 40-tën, përmbysën shifrat për miqtë.

Megjithatë, fraksioni i dytë foli për izraelitët, të cilët reaguan sërish me anë të Pierrot dhe Chery, në minutën e 51 dhe 61. Ndeshja e kthimit në Beograd pritet të jetë po kaq spektakolare sa ajo e vajtjes, ndërsa sa i përket kualifikimit, gjithçka mbetet e hapur.

Në Azerbajxhan, Qarabag dhe Viktoria Plzen, në 90 minutëshin e parë u ndanë pa gola. në këtë mënyrë, kualifikimi mbetet në ekuilibër total, ndërsa tashmë fjalën e ka takimi që do zhvillohet në tokën çeke.

Ndeshjet e kthimit do luhen javën e ardhshme, të martën, në datën 23 gusht.