Bayern Munich është kampion i Europës për herë të gjashtë në historinë e klubit bavarez. Një trofe i merituar për gjermanët, që përmbylli kështu edhe sezonit 2019/2020. ‘Champions League’-a ka qenë këtë edicion që sapo lamë pas ndryshe nga çdo sezon tjetër. Pandemia e ‘Covid-19’ detyroi që sfidat e fazës me eleminim direkt, që nga çerekfinalja, të luheshin në një sistem ‘Final 8’, të luajtur në Lisbonë dhe që prodhoi shumë surpriza. Atalanta dhe Leipzig ishte padyshim dy skuadrat që befasuan me shumë, me bergamaskët që edhe pse ishin në sezonin e tyre debutues, arritën të shkonin deri në çerekfinale, ku në fakt ishin të kualifikuar deri në minutën e 90. PSG arriti finalen e parë në historinë e saj, por iu dorëzua eksperiencës së Bayern, në një finale ku në fakt priteshin më shumë gola se sa rezultati 0-1. Në 119 ndeshje të ‘Champions League’-ës në këtë sezon, janë parë të shënohen 386 gola, me një mesatare prej 3,24 golash për ndeshje, ose e përkthyer ndryshe, kemi parë mesatarisht një gol në çdo 28 minuta. Pjesa më e madhe e tyre janë realizuar në 15 minutat e fundit të kohës së rregullt, plot 78. Pamë vetëm një ndeshje të shkonte deri tek koha shtesë, përballjen e 1/8-ave mes Liverpool dhe Atletico Madrid. Bayern dominoi ndërkohë thuajse në çdo aspekt. Bavarezët e mbyllën si skuadra me më shumë gola të shënuar, 43. Kampionët e rinj të Eurorës fituan disa ndeshje të rëndësishme me rezultate të jashtëzakonshme, ku rekord më vete është ai rezultat 8-2 në çerekfinale ndaj Barcelonës. Skuadra e dytë me më shumë gola të shënuar është pikërisht PSG, me një diferencë shumë të madh nga bavarezët, pasi ekipi i Tuchel në total realizoi 25 gola. Bayern ishte dhe skuadra me më shumë goditje, 242, nga ku 101 ishin drejt portës kundërshtare. Sa u përket individëve, Robert Leëandoëski ishte padyshim ylli i këtij edicioni në ‘Champions League’. Polaku u shpall golashënuesi më i mirë i kompeticionit me 15 gola, ndërkohë që ndan çmimin si asistuesi më i mirë me Angel Di Marian, të dy në kuotën e 6 asistimeve. Superioriteti i Bayern në këtë sezon ka qenë absolut. Ekipi i trajnerit Hansi Flick, është e para skuadër që arrin tek titulli kampion, pasi i ka fituar të gjitha ndeshjet e kompeticionit, çfarë përbën një tjetër rekord që do të jetë i vështirë për tu përsëritur.