Në finalen e Champions League-ës, Gerard Pique do të bëjë tifo për Juventusin. Mbrojtësi i Barcelonës ka folur së fundmi për Pomeriggio Cinque duke rrëfyer jo vetëm simpatinë për skuadrën bardhezi, por edhe opinionet e tij rreth cështjes se kush duhet ta marrë cmimin e Topit të Artë. Për finalen e 3 qershorit, 30-vjecari katalanas u shpreh se në fushë do të luajnë dy skuadra të shkëlqyera, por prej së cilave Juventusi ka disa elemente më të mira. Sipas Pique-së, bardhezinjtë kanë një mbrojtje fantastike. Në këtë pjesë katalanasi lavdëroi ish-shokun e skuadrës Dani Alvesin, të cilit ia uroi triumfin ndaj Realit dhe po kështu Gianluigi Buffonin, që sipas tij meriton ta fitojë jo vetëm trofeun por edhe Topin e Artë. “Do të ishte shumë e bukur që Buffon ta fitonte këtë vlerësim. Për karrierën që ka, por edhe për sezonin që po bën, e meriton plotësisht. Plus nga ana tjetër them se ka ardhur koha që më në fund një portier ta marrë këtë vlerësim pas Yashinit” – tha Pique. Duke krahasuar të dyja skuadrat, mbrojtësi i Barcelonës tha se Realin katalanasit e kanë mundur gjithmonë duke i bllokuar asaj aftësitë e kundërsulmit, por që në këtë pjesë Juventusi mund të luajë ndryshe pasi ka qasje tjetër në fushë. Pique përmendi këtu përballjen me Juventusin në cerek-finale. “Fakti që s’mundëm t’i shënonim as dhe një gol e tregon qartë se c’skuadër është Juventusi, prandaj them se do ishte mirë që Champions League-ën ta fitonin ata” – përfundoi mbrojtësi 30-vjecar, i cili ka thënë ndër të tjera se kërkon ta mbyllë karrierën te Barcelona.