Interi kualifikohet në fazën me eliminim të Champions League. Për ta bërë një gjë të tillë, zikaltërit fituan 4-0 në shtëpi ndaj Viktoria Plzen, në atë që ishte ndeshja e javës së 5-të e Grupit C. Goli i parë i sfidës u shënua nga Mkhitaryan në minutën e 35-të. Më pas, në të 42-tën, Edin Dzeko shënoi sërish, duke e dërguar skuadrën e tij në avantazhin e dy golave në dhomat e zhveshjes. Pas rikthimit në fushë, në të 66-tën, do të ishte sërish boshnjaku ai që realizoi edhe të tretin e sfidës dhe të dytin personal.
7 nga 27 golat e tij të shënuar në Champions League, Dzeko i ka shënuar ndaj Viktoria Plzen. Pra, deri në masën 26%. Shtatlarti ia ka dalë të finalizojë në të 5-ta takimet ndaj çekëve. Asnjë skuadre tjetër në karrierë nuk ka mundur t’i shënojë dot kaq shumë në Champions League.
Më tej, në një sfidë të tillë do të kishte vend edhe për Romelu Lukakun. I rikthyer në fushë pas një mungese prej 2 muajsh, belgu arriti të gjente menjëherë golin në minutën e 87-të. Kjo ishte fitorja më e thellë që Interi kishte arritur ndonjëherë në Champions League që nga viti 2010-të, atëherë kur po me rezultatin 4-0 fitonte edhe ndaj Ëerder Bremen.
Një sukses i tillë i siguroi skuadrës së Simone Inzaghit biletën drejt fazës tjetër të kompeticionit, ndërkohë që ka edhe një ndeshje tjetër për të luajtur, sikurse është transferta ndaj Bayern Munich.
Në takimin e javës së 5-të, ndonëse të kualifikuar, gjgantët bavarezë arritën një tjetër fitore ndaj Barcelonës. Këtë herë në Camp Nour me rezultatin 3-0. Mane dhe Choupo-Moting realizuan në pjesëen e parë, kurse në të 95-tën, Pavard trefishoi shifrat. Numri një i pankinës së skuadrës gjermane, Julian Nagelsmann bëhet trajneri i parë në histori që fiton 4 ndeshje radhazi ndaj Barcelonës.
Në këtë mënyrë, Barcelona eliminohet që në fazën e grupeve të Champions League për të dytin vit radhazi, duke u kthyer 23 vite prapa në histori. Për herë të fundit kur Barcelona ishte eliminuar dy herë radhazi që në grupe, ishte në sezonet e largëta 1997/98 dhe 1998/99-të, atëherë kur skuadrën e drejtonte Louis Van Gal. Në ndeshjen e radhës, katalanasit do luajnë përballë Viktoria Plzen në transfertë.