Jupp Heynckes vazhdon të shkruajë kapituj të jashtëzakonshëm në historinë e futbollit të Evropës. Trajneri gjerman shijoi të mërkurën fitoren e 11-të radhazi në Champions League. Fitorja 3-1 e Bayernit në transfertën turke me Besiktasin ishte vazhdimi i një ecurie suksesesh që ka zanafillën në vitin 2013-të, në atë vit ku Bayerni i tij u shpall kampion i trefishtë. 72-vjeçari, i cili u thirr që të zëvendësojë Carlo Ancelottin këtë sezon e ka ngritur skuadrën në nivelet e mëparshme duke kryesuar Bundesligën me plot 20 pikë distancë dhe nga ana tjetër duke u kualifikuar edhe në fazën çerek-finale të UEFA Champions League.
Te Bayerni tashmë besojnë fort se ai mund ta cojë skuadrën atje ku e la, që do të thotë te ajo tripletë e jashtëzakonshme e tre viteve më parë. Rekordmen edhe për sa i përket moshës në krye të një skuadre në Champions, ai do të mbahet tashmë mend edhe për këtë rekord të ri të kësaj jave. 11 suksese radhazi. Gjasat janë që ky rekord të përmirësohet edhe më shumë, ndërsa në Gjermani janë ende në pritje të një konfirmimi ose qartësimi se cfarë do të bëhet me kontratën e tij në fund të sezonit, do të qëndrojë më tej apo do të largohet. Sido që të ndodhë, ai tashmë është një rekordmen.