Manchter City vazhdon serinë e fitoreve në Champions League. Në javën e 3-të të Grupit G, qytetarët pritën në shtëpi skuadrën e Copenhagen, ndaj së cilës fituan me rezultatin e thellë 5-0. Ashtu sikurse ka ndodhur përgjatë këtij sezoni, edhe një herë tjetër, Erling Haaland ishte lojtari që bëri diferencën në fushën e lojës për të besuarit e Pep Guardiolës.
Norvegjezi realizoi dy golat e parë të sfidës, duke vazhduar me mesataren e tij të frikshme të realizimeve për këtë edicion futbollistik.
Sulmuesi i qendrës ka shkuar në kuotën e 5 golave në Champions League me fanellën e Cityzens, duke u bërë automatikisht edhe golashënuesi më i mirë i kompeticionit deri më tani.
Champions League është një turne, ku Haaland ka nisur të bëjë diferencën që prej debutimit të tij me skuadrën e Salzburg. Deri më tani, 22 vjeçari ka luajtur gjithësej 22 ndeshje në Champions, ndërsa ka mundur të realizojë 28 gola. Pra, mesatarisht, Haaland shënon 1.27 gola për çdo 90 minutësh të luajtur. Nuk mbaron këtu. Në Champions League janë 98 skuadra pjesëmarrëse që kanë një mesatare më të dobët shënimi sesa Haaland në këtë kompeticion. Pra, një lojtar i vetëm, po ia del të ketë një mesatare më të mirë finalizimi, sesa një skuadër e tërë.
Më tej, Manchester City kryesues i Grupit G me 9 pikë, ndiqet nga Borussia Dortmund me 6 pikë. Të mërkurën mbrëma, verdhezinjtë mposhtën 4-1 Sevillan në tokën andaluziane. Të besuarit e Edin Terziç po udhëhiqen nga Jude Bellingham, forma e të cilit vijon të jetë në ngjitje. Me golin e realizuar ndaj spanjollëve, anglezi është bërë mesfushori i parë më i ri në Champions League, që ia del të shënojë në 3 ndeshje të njëpasnjëshme.
Sevilla dhe Copenhagen mbyllin Grupin G në vendin e 3 dhe të 4, konkretisht me nga një pikë.