Festa ishte më se e justifikuar të martën mbrëma. Roma hyri në histori si klubi i tretë në Champions League që arrin të çbëjë një disavantazh prej 3 golash dhe të kualifikohet më tej. Duke fituar 3-0 verdhekuqtë eliminuan një emër të madh sikurse Barcelona dhe entuziazmi ishte i pamasë. Të gjithë lojtarët gëzuan pa fre në dhomat e zhveshjes duke kënduar edhe himnin e Romës. Mbi 55 mijë tifozë ishin të pranishëm në Olimpico të martën dhe pikërisht atyre ua kushtoi golin e kualifikimit Kostas Manolas. Ishte i pafat në Camp Nou, pasi realizoi dhe një autogol, por në Olimpico shpagoi gjithcka.
“U kualifikuam në gjysmë-finale duke mundur skuadrën më të mirë në botë. Roma e meriton të jetë këtu dhe e pamë se nëse do kemi afër publikun tonë askush s’na mund dot” – tha greku jashtëzakonisht i emocionuar pasi shënoi golin e kualifikimit. “Askush nuk besonte te ne, por ja që tani jemi në gjysmë-finale. Jam i lumtur që do shoh shortin dhe kam mundësinë ta shoh Romën këtu” – tha Dzeko, i cili në janar u përfol shumë se mund të largohej me destinacion Chelsea-in.
“Nuk më interesojnë paratë. Nuk ishte e thjeshtë, por qëndrova këtu për të tilla ndeshje” – komentoi më tej boshnjaku, realizues në të dyja sfidat ndaj katalanasve. Trajneri Di Francesco ishte i pakufijshëm pas këtij kualifikimi historik duke theksuar se tanimë nga grupi do me patjetër finalen. Ndërkohë e pakufijshme ishte edhe festa e Presidentit të klubit James Pallotta i cili u përfshi me ultrasit dhe u la në shadrevanin e “Piazza del Popolo”-s.