Club Brugge shkruan historinë në Champions League, duke u kualifikuar për herë të parë në fazën me eliminim të kompeticionit. Një arritje të këtyre niveleve, belgët e realizuan në një grup të ndërlikuar, sikurse është Grupi B me rivalë si Porto, Bayer Leverkusen, apo edhe Atletico Madrid.
Pasi kishin regjistruar 3 fitore në po kaq ndeshje, në javën e 4, belgët vizituan Atleticon. Në transfertën spanjolle, ata dolën të pamposhtur, duke marrë një barazim 0-0 në Estadio Metropolitano.
Pavarësisht se vendasit u përpoqën të shënonin gol, nuk ia dolën dot, duke u përballur me një Simon Mignolet të pakalueshëm. Portieri i Club Brugge kreu gjithësej 14 pritje ndaj Atleticos, duke e mbajtur kuadratin të paprekur. Në Champions League, nuk kishte ndodhur asnjëherë që prej sezonit 2003/04 që një portier të kryente 14 pritje brenda një ndeshje dhe në fund, skuadra e tij të dilte e pamposhtur.
Teksa Brugge ka siguruar një biletë për në fazën me eliminim të kompeticionit, të 3-ja skuadrat e tjera të Grupit B, Porto, Atletico dhe Leverkusen do të diskutojnë gjithçka në dy javët e mbetura të fazës së grupeve.
Momentalisht, në vendin e dytë renditet Porto me 6 pikë. Në xhiron e 4, dragonjtë fituan bindshëm me rezultatin 3-0 në transfertën e Leverkusenit. Në vendin e 3-të pozicionohet Atletico Madrid me 4 pikë, ndërsa Leverkuseni mbyll klasifikimin me vetëm 3 pikë.