Benfica e këtij sezoni është një nga skuadrat e pakta që ende nuk ka pësuar asnjë humbje në të gjitha garat, por pak kush mund ta kishte menduar që mund të klasifikohej në vendin e parë të Grupit H, me kundërshtarë si PSG, apo Juventusi.
Fitorja 6-1 e javës së fundit në transfertën e Macabi Haifa, i mundësoi shqiponjave që të renditeshin të parët në kuotën e 14 pikëve, po aq sa PSG, duke thyer kështu çdo parashikim të mundshëm. Me 16 gola të shënuar dhe 7 të pësuar, sikurse edhe parizienët, por portugezët dolën të parët, për faktin se kishin realizuar më tepër gola në transfertë sesa francezët, plot 9, kundrejt 6 të parizienëve.
Në Izrael, të besuarit e Roger Schmidt triumfuan falë golave të Ramos, Musa, Grimaldo, Rafa Silva, Araujo dhe Joao Mario. Për të zotët e shtëpisë shënoi Chery nga pika e bardhë, por që tashmë ka një vlerë vetëm statistikore.
Më tej, në Itali, PSG fitoi 2-1 ndaj Juventusit falë finalizimeve të Kylian Mbappe dhe Nuno Mendez, duke bërë të pavlefshëm golin mbrojtësit Bonuçi.
Në këtë mënyrë, në shortin e 7 nëntorit, kundërshtarët e mundshëm për raundin e 1/8-tave të Benficës do jenë Borussia Dortmund, Leipzig, Milan, Eintracht Frankfurt Inter, Club Brugge dhe Liverpool.
Në krahun tjetër, kundërshtarët e Parisit mund të jenë Napoli, Porto, Bayern Munich, Tottenham, Chelsea, Real Madrid dhe Manchester City.