Champions League bëhet më shtrenjtë, ja si rriten premiot!

Sport

uclllllll

UEFA ka zyrtarizuar rritjen e shpërblimeve, sa i takon pjesëmarrjes së skuadrave në edicionin e ardhshëm të Champions League. Kështu, skuadrave që do të marrin pjesë në fazën e grupeve do t’u ndahet një total prej 1.9 miliard eurosh, ose 600 milionë më shumë në krahasim me sezonin që sapo u mbyll. Të ardhurat neto të disponueshme për klubet do të shpërndahen konkretisht në këtë mënyrë. 25% ose 488 milionë euro, do t’i dedikohet kuotave fillestare për pjesëmarrjen; 30% ose 585 milionë, do të shkojnë për shpërblime në bazë të paraqitjeve, kurse një 30% tjetër do të jepen sipas koeficientëve të llogaritur, në bazë të rendimentit çdo 10 vjet. Pa harruar se edhe i ashtuquajtur “market-pool”, që përfshin 292 milionë euro në total, do të ketë një peshë prej 15% nëpër shpërblime.

uefa
Duke hyrë në detaje mund të thuhet se klubet e kualifikuara në fazën e grupeve prej sezonit të ardhshëm, do të marrin nga 15.25 milionë euro, plus 5 milionë të tjerë për ata që do të vijnë nga “play-off”-et. Për më tepër, për çdo ndeshje të fazës së grupeve, do të merren bonuse që lidhen me rezultatet: 2.7 milionë euro për cdo fitore, 900 mijë euro për barazimin dhe 9.5 milionë euro për kalimin e grupit. Gjithashtu parashikohen 10.5 milionë euro për kualifikimin në cerekfinale, 12 milionë për gjysmëfinalet dhe 15 milionë për dy finalistet. Ndërsa kampionëve të rinj të Evropës do t’u shkojnë edhe 4 milionë plus, që u shtohen totalit të të ardhurave të akumuluara gjatë avancimit në kompeticion. Pra, një Champions League jo vetëm e ndryshuar në format, por edhe në shpërblime. Duke u bërë akoma edhe më e pasur.