Bayerni i Jupp Heynckes pret sot në shtëpi Besiktasin, që vjen për herë të parë në historinë e saj në të tilla nivele të UEFA Champions League. Që pas asaj humbje 3-0 me PSG në fillim të sezonit, bavarezët janë tjetër ekip. Mjeshtri Jupp Heynckes ka rikthyer grupin atje ku ishin objektivat. Në krye të kampionatit me 19 pikë diferencë, Bayerni ka tashmë përqendrim maksimal te Championsi, trofeu që pikërisht Heynckes, ishte ai që ua mundësoi për herë të fundit në vitin 2013-të. Pesë vite më pas gjërat duken optimiste për t’u ripërsëritur. Bilanci i 72-vjeçarit bën fjalë për 13 fitore radhazi dhe vetëm 1 humbje në 24 ndeshje. Organika është e plotë, mungon vetëm Neuer. Besimi maksimal shkon te Robert Lewandowski autor i 27 golave këtë sezon. Por përballë duhet thënë se bavarezët kanë një rival që nuk duhet nënvlerësuar. Besiktasi, me të cilët ata janë përballur 2 herë në vitin 1997 është krejt ndryshe nga ajo kohë. Këtë sezon skuadra e Senol Gunes kryesoi një grup si grupi G me Porton, Monacon dhe Leipzigun. Elementë kampionë si Pepe, Adriano, Babel apo dhe Quaresma kanë rezultuar tejet të suksesshëm. Përvoja te këta lojtarë është arma kryesore e turqve, të cilët si Plan-B kanë fortesën Besiktas Park, atje ku nuk janë mundur prej 39 takimesh në të gjitha kompeticionet, por për të qenë të aplikuar më me siguri këtë plan duhet të japin maksimumin në Bayern Arena.