Champions League-a rikthehet në St. Jakob-Park me një “Mision të pamundur” për Baselin. Kampionët e Zvicrës presin Manchester City-in në një sfidë ku parashikohen gola. Dueli i parë e 1/8-ve rikthen Guardiolën në atë stadium ku si trajner u ndesh në sezonin debutues në Champions League. Ishte viti 2008-të, faza në grupe, dhe me Barcelonën ai fitonte 5-0. Një sezon fantastik që u përmbyll me triumfin e parë në Evropë për 2 herë trajnerin e vitit, tashmë fitues i plot 21 trofeve. Tanimë trajner i Manchester City-it, Guardiola synon t’i japë të njëjtin sukses edhe bluve. Përballë ka një skuadër si Baseli që ka luajtur vetëm 2 ndeshje zyrtare që prej 17 dhjetorit ku kampionati vendas pati pushimin dimëror. City që prej asaj date ka diskutaur plot 14 ndeshje, një kontrast ky që pritet të tregojë diferenca në fushë, por jo dhe aq nëse shohim cilësitë e lojtarëve. Organika e Baselit vlerësohet në merkato rreth 57 milionë euro, ndërsa Manchester City, transferoi në Janar vetëm Aymeric Laporten për plot 65 milionë. Ky i fundit nuk mori pjesë në stërvitje gjatë fundjavës dhe në fushë pritet të jenë Otamendi e Kompany-s i rikthyer dhe i lënë pushim në ndeshjen kundër Leicesterit që The Cityzens, fituan 5-1 në kampionat. Basel e City ndeshen për herë të parë me njëra tjetrën. Campo dhe Zuffi janë mungesat për zviceranët, ndërsa për anglezët krahas Sanes mungojnë Delph, Gabriel Jesus dhe Mendy.