Champions League, Barcelona pret Chelsea-in, Bayerni udhëton në Stamboll

Sport

bacrlhhsds

Të mërkurën Camp Nou mirëpret për herë të 7-të Chelsea-in në një sfidë që tashmë në Evropë ka shijen e klasikes. 13 vite pas fitores së fundit, që mban datën 23 shkurt 2005, Barcelona shpreson te faktori fushë për të kaluar në çerek-finalet e UEFA Champions League. Rezultati 1-1 i arritur në Stamford Bridge e mban të hapur këtë sfidë. Megjithatë përvoja tregon se Blutë nuk influencohen shumë nga atmosfera e kundërshtarëve. Në 4 përballjet e fundit ata kanë dalë me një barazim nga Camp Nou. Gjithsesi Barcelona i ka opsionet gati. Lionel Messi e bëri pushim këtë fundjavë. Katalanasit, edhe pa të, fituan 2-0 ndaj Malagas. Argjentinasi mirëpriti ardhjen në jetë të djalit të tij Ciro. Të mërkurën ai do jetë në fushë dhe pse jo mund ta festojë me gol. Në 21 ndeshje të luajtura në shtëpi Barça ka realizuar 60 gola dhe kanë pësuar vetëm 7. Nga ana tjetër Chelsea i Contes vjen në këtë sfidë pas 4 humbjesh në transferta, ku rëndojnë ato me Arsenalin, United-in dhe City-in. Gjithsesi në fundjavë Chelsea-in e ngushëlloi Willian i cili mundësoi fitoren 2-1 ndaj Crystal Palace. Prej brazilianit pritet sërish shumë edhe në sfidën e kthimit ndaj Barcelonës. Përpara kësaj sfide, në Stamboll luhet ndeshja Besiktas-Bayern. Për shkak të ndryshimit të fashos së orarit, turqit e zhvillojnë ndeshjen në orën 18:00. Për bavarezët gjithçka është zgjidhur në ndeshjen e parë. Pesë gola janë të pamundur për t’u përmbysur, prandaj shqiponjat kanë të vetmin objektiv një ndeshje dinjitoze. Përballë do të jetë një Bayern që ka realizuar 10 në dy takimet e fundit në kampionat dhe gjasat janë për të tjerë edhe në Stamboll.