Barcelona-Chelsea shkruajnë sot kapitullin e 14-të të rivalitetit të tyre në UEFA Champions League. 6 nga 13 përballjet e kaluara janë mbyllur barazim, ku ai më i fundit ishte 3 javë më parë. Në Camp Nou, skuadra e Valverdes kërkon të mbarojë punën e nisur në Stamford Bridge. Goli i Messit atje, pas 8 përballjesh me Blutë, i vë katalanasit në një pozicion më të favorshëm edhe pse rezultati qe 1-1. Kështu Barça kualifikohet edhe me një barazim pa gola, por synimi është fitorja.
Këtë synim tifozët e Chelsea-it e kanë ironizuar me faktin se Barça nuk i mund Blutë me 11 lojtarë që prej 25 majit të vitit 1966-të. Asokohe luhej për Fairs-Cup dhe katalanasit fitonin 5-0. Në fakt kjo gjë është e vërtetë, nga përballjet e tjera të luajtura vetëm në Champions, tre fitoret që ka arritur Barcelona, i ka marrë pikërisht pas kartonave të kuq të Babayaros në vitin 2000, të Drogbas në 2005-ën dhe të Del Hornos në 2006-ën.
Barça në fakt nuk fiton prej 12 vitesh dhe sfida sot parashikohet të jetë spektakolare edhe për këtë gjë. Dueli ka qenë gjithmonë luftarak me 4 vizitat e fundit të bluve në Camp Nou të përfunduara në barazim. Por këtë sezon forma e Barçës ka qenë fantastike, në 21 ndeshje të luajtura në shtëpi ata kanë realizuar 60 gola duke pësuar vetëm 7. Kështu parashikohet të ketë gola. Për Barcelonën ka pasur probleme muskulore Iniesta, ndërsa te Chelsea pas riaftësimit të mbrojtësit Antonio Rudiger organika është e plotë.