Champions League, Bale i humb të dyja sfidat kundër Atleticos

Sport

Gareth Bale

Gareth Bale nuk do të luajë asnjë nga përballjet kundër Atleticos së Madridit në Champions League. Eshtë ky lajmi i raportuar nga AS, sipas së cilës uellsianit i duhen së paku tre javë për t’u riaftësuar nga lëndimi në pulpën e majtë. Kështu kjo është humbje e madhe për Zidane, i cili nuk kishte shumë që i ishte gëzuar rikthimit të Bale në fushë. 27-vjecari ka vuajtur vazhdimisht nga lëndime në pulpë dhe sipas shtypit spanjoll te Reali ndruhen se ky mund të jetë një lëndim kronik. Ishte minuta e 35-të e “El Clasicos” kur Bale u ankua për dhimbje të forta në pulpë. Ai u detyrua të dilte nga fusha. Klubi madrilen njoftoi se sipas analizave 27-vjecari ka vuajtur një tërheqje muskulore të gradës së dytë. Që pas riaftësimit nga një lëndim i rëndë në kycin e këmbës, Bale ka vuajtur 8 lëndime muskulore. AS shkruan se 6 prej tyre kanë qenë në pulpën e majtë. Ndërkohë sipas ditarit mjekësor, Bale ka vuajtur në total 17 lëndime të tilla që prej vitit 2013-të kur u transferua në Bernabeu. Bale këtë sezon ka munguar në 27 ndeshje. Në përgjithësi shtypi spanjoll shkruan se problemet e vazhdueshme të tij e kanë vënë në pikëpyetje në tre trajnerë të ndryshëm. Carlo Ancelotti, Rafa Benitez dhe së fundmi Zinedine Zidane. Që të tre janë shtrënguar të përpilojnë një formacion rezervë për rastet kur Bale nuk do ishte i gatshëm, dhe këto raste kanë qenë të shumta.