Fundjava përmbylli pjesën më të madhe të kampionateve evropiane të futbollit dhe kështu janë zyrtarizuar tashmë një pjesë e klubeve që kanë prerë biletat për në sezonin e ardhshëm të UEFA Champions League. Me dy finalet e këtij muaji, një në Bazel dhe tjetra në Milano ende për t’u luajtur, Anglia dhe Spanja presin ende një mundësi për t’i shtuar edhe me nga një skuadër tjetër pjesëmarrëset e tyre vitin tjetër. Padyshim shpresa mbajnë Liverpool dhe Sevilla, të cilat nëse fitojnë Europa-League-ën arrijnë direkt kualifikimin për në Champions. Anglia këtë vit dhuroi surprizën me një skuadër si Leicester që do luajë për herë të parë në Ligën e Kampionëve. Nga Premier League kualifikim direkt arritën të siguronin Arsenal dhe Tottenham, teksa City do luajë mundësitë në fazën “play-off”. Në Spanjë përvec treshes Barca-Real-Atletico, valles i ka hyrë edhe Villarreal që do të luajë shanset e saj në “play-off”. Nga Bundesliga Bayern-Dortmund dhe Leverkusen do jenë pjesëmarrëse direkte, teksa Borussia e Monchengladbach do provojë të kualifikohet përmes “Play-Off”-it. Ndërkohë në Itali, Napoli arriti të mbronte vendin e dytë duke siguruar kualifikimin direkt bashkë me Juventusin, krejt ndryshe nga cdo të bëjë Roma e vendit të tretë së cilës i duhet të përgatitet fort gjatë verës. Në Francë treshja përfaqësuese do jetë PSG, Lyon dhe Monaco me këta të fundit që do të mundohen të arrijnë Championsin përmes “Play-off”-it. Finalja e vitit të ardhshëm luhet në Kardif.