UEFA e ka vendosur përfundimisht se kush është skuadra që do të përfaqësojë Shqipërinë në turin e parë eleminator të edicionit të ardhshëm të Champions League. Megjithëse Skënderbeu është në pritje të përgjigjes nga KAS sa i takon dënimit 10-vjeçar të dhënë nga UEFA, organizmi më i lartë i futbollit evropian e ka bërë fakt të kryer që kukësianët do të marrin pjesë në shortin që hidhet pas një jave. Aty ku do të përcaktohen çiftet e turit startues të kompeticionit më madhor kontinental. Ndërkohë, Skënderbeu, si i përjashtuar prej saj, nuk mund të marrë pjesë në asnjë kompeticion. Kjo i hap rrugën ngjitjes së Partizanit në grupin e skuadrave, që do të luajnë në Europa League, bashkë me Luftëtarin dhe Lacin.
Të martën në mesditë edhe kampionia e Kosovës, Drita, ka mësuar kundërshtarin e gjysmëfinaleve të turit paraleminator të Champions League, që zhvillohet nga data 26 deri më 29 qershor në Gjibraltar. Bëhet fjalë për skuadrën nga Andorra, Santa Coloma. Ky raund do të luhet si një mini-turne, ku fituesja e ciftit mes Dritës dhe Santa Coloma do të ndeshet në finalen e 29 qershorit, me fituesen e sfidës tjetër gjysmëfinale që ka vendosur përballë ekipin nga Gjibraltari, Lincoln Red Imps dhe sanmarinezët e La Fiorita. Kush fiton finalen kalon në turin e parë eleminator, që luhet në datat 10-11 dhe 17-18 korrik. UEFA Champions League, tashmë i rinovuar duke nisur që nga “brandy”, do të vijë edhe për 3 vitet e ardhshëm ekskluzivisht në TRING SPORT HD.