Kualifikim me zemër në dorë! I tillë mund të konsiderohet avancimi i Kukësit në turin e dytë eleminator të Champions League. Skuadra verilindore, e drejtuar tashmë nga Armando Cungu pas shkarkimit të Pacult, arriti një barazim 1-1 në transfertën ndaj La Vallettas. Kaq I mjaftoi për të vazhduar më tej në kompeticion, falë golit të realizuar në fushën kundërshtare. Duke ditur që ndeshja e përpara një jave në Shkodër ishte mbyllur 0-0. Transferta malteze ishte më e ndërlikuar nga sa parashikohej për Kukësin, që jo vetëm vuajti, por pësoi i pari në minutën e ’68 kur për Valetan shënoi… Vetëm 6 minuta nga fundi i takimit, gjeorgjiani Dzaria diti të përfitojë nga një gabim i portierit maltez, për të vendosur ekuilibrin e shifrave. Aq sa mjaftoi për biletën e kualifikimit në turin e dytë. Pas kualifikimit të Kukësit ishte radha e Shkëndisë së Tetovës për t’u kualifikuar jo pa vështirësi. Fitorja e thellë 5-0 në ndeshjen e parë në Shkup ndaj uellsianëve të N.Saints, u duk sikur sfida e kthimit do të ishte thjesht formalitet për tetovarët.
Por që nuk ka rezultuar e tillë. Ekipi vendas Neu Saints ka bërë një ndeshje spektakolare duke fituar 4-0 dhe i ka shkuar shumë pranë përmbysjes së rezultatit. Shkëndija u duk e shthurur në këtë ndeshje kthimi, teksa vetëm në 45 minutat e para pësoi 3 gola. Përkundër ndeshjes së dobët, tetovaret kaluan më tej dhe tashmë duhet të bëjnë llogaritë për raundin pasardhës. Vetëm Drita e Gjilanit nuk ia ka dalë dot nga ekipet shqiptare që luajnë në Champions League, që ta avancojë në raundin tjetër. Kampionia e Kosovës është mundur 2-0, edhe në sfidën e kthimit në fushën e suedezëve të Malmo. Për gjilanasit mbyllet këtu aventura në Ligën e Kampionëve pas rezultatit të përgjithshëm 5-0, por do vijojnë të luajnë në turin pasardhës të Europa League ku më 26 korrik e 2 gusht do të ndeshen me luksemburgasit e Dudelange.