Të shtunën përballja Juventus Real Madrid në Champions League me shumë gjasa do të shohë në fushë një përballje BBC-BBC. Akronimi i sulmuesve të madrilenëve Benzema, Bale, Cristiano dhe i mbrojtësve të Juventusit Bonucci, Barzagli, Chiellini, do të shihet me mjaft interes sidomos nga analistët sportiv, të cilët i kanë pagëzuar të dy repartet në fjalë si ndër më të mirët në botën e futbollit. “Eshtë koha të tregohemi të pathyeshëm” – lexohej në një postim në faqen zyrtare të Juventusit, ku edhe njëherë thirreshin në detyrë tre mbrojtësit italian. Por interesante është se të dy trajnerët, si Zidane ashtu edhe Allegri, kanë nga një dilemë për sa i përket rreshtimit ose jo të BBC-së së tyre. Madrilenët janë në mëdyshje nëse të aktivizojnë Iscon, apo Bale-in. Ky i fundit nëse luan në finalen e Kardifit do të bëhet i dyti futbollist në historinë e Championsit, që luan në vendlindjen e tij si kundërshtar pas Nicolas Anelkas në vitin 2000. Edhe francezi e arrinte këtë me fanellën e Realit, në atë finale të Parisit. Por ndërkohë që shtypi italian dhe ai spanjoll raportojnë që me shumë gjasa Zidane do të luajë me skemën 4-3-1-2, ku prapa Benzemasë dhe Ronaldos do të hidhet si titullar Isco, në anën tjetër Allegri me shumë gjasa thuhet se do ta nisë me katërshe mbrojtjen. Dyshes Chiellini-Bonucci në qendër, do t’i vihen në krahë, Alex Sandro dhe Barzagli. Por kjo nuk e përjashton mundësinë që sfida e BBC-ve, të bëhet kokë për kokë, pasi Zidane mund ta ruajë Bale-in për në momentet e fundit kur skuadrës mund t’i duhet më shumë zgjidhje në sulm.