Të martën luhet akti i dytë gjysmë-finalist mes Juventusit dhe Monacosë në Champions League. Fundjava dha shenja shprese për bardhekuqtë, kjo pasi në Juventus Stadium, Torino arriti të thyejë akullin bardhezi. Pas 17 fitoresh radhazi në shtëpi, skuadra e Massimiliano Allegrit u ndal në një barazim 1-1 me kundërshtarët e tyre historik. Në një ndeshje që i pa të gjitha, nga ndërhyrjet e ashpra e deri te koret raciste, Adem Ljajic i kaloi demat në avantazh përmes një goditje dënimi. Goli i shkëlqyer i tij nuk mund të ishte pritur as nga Buffon, i cili në këtë ndeshje ishte lënë pushim, njëjtë si Chiellini, Dani Alves apo Marchisio. Kartoni i kuq i dhënë Acquah-së, ia vështërsoi gjërat Torinos, ndërsa për Juventusin sinjali pozitiv erdhi në fund nga Gonzalo Higuain. Argjentinasi pas dygolëshit të Monacos, u tregua sërish vendimtar duke realizuar barazimin në minutat shtesë. Kjo ndalesë e Juventusit nuk prish punë në Serie-A, ku diferenca me Romën është 7 pikë, por në Champions jep shpresë për Monaconë. Bardhekuqtë gjatë fundjavës treguan edhe njëherë se janë një makineri golash. Përballë Nancy-së, Leonardo Jardim hodhi në fushë një skuadër me ndryshime, por gjithsesi rezultati përfundimtar ishte 3-0. Germain, Lemar dhe Bernardo Silva vulosën fitoren e radhës në Ligue1, që i mban bardhekuqtë në krye të kampjonatit. Deri më sot askush nuk ia ka dalë të kualifikohet në këtë fazë pasi e ka humbur takimin e parë në shtëpi, por te Monaco mbeten optimist.