Champions, Guardiola kritikon tifozët e Liverpoolit për sulmin ndaj autobusit të City-it

Sport

guardiola

Manchester City nuk arriti sërish të dilte fitimtare nga Anfield Road as edhe në Champions League, por pas humbjes 3-0 ndaj Liverpoolit, Pep Guardiola ka folur fillimisht për pritjen e keqe që tifozët e kuq i bën skuadrës së tij. Në fakt përpara se autobusi i City-it të mbërrinte në stadium, tifozët e Liverpoolit e paraprinë me fyerje, flakadanë dhe goditje me objekte të forta. Nga e gjithë meseleja që u krijua fatmirësisht nuk pati të lënduar rëndë. Asnjë nga lotjarët e City-it nuk pësoi gjë, ndërsa nga forcat e rendit dy policë u lënduan lehtë. Guardiola tha pas ndeshjes se nuk e kuptonte dot një sjellje të tillë të tifozëve, kjo pasi të dyja skuadrat ishin ndeshur edhe herë të tjera. “Nuk e kuptoj, si tifozët, po kështu edhe policinë që duhej të kishte marrë më shumë masa për të garantuar vajtjen tonë në mënyrë të sigurt atje” – tha Pep. Policia e Merseyside njoftoi menjëherë se kishte nisur hetimet për të zbuluar se kush ishin agresorët e autobusit të Manchester City-it, ndërkohë BBC raportoi se nga UEFA po presin një raport të detajuar përpara se të nisin ose jo një çështje disiplinore ndaj Liverpoolit që si klub organizator i ndeshjes duhej të kishte garantuar sigurinë për skuadrën mike. Situata ka rikthyer ndërmend sulmin që vuajti prillin e kaluar autobusi i Borussias së Dortmundit, ku pas shpërthimit të një sendi piroteknik dy lojtarë të verdhezinjve mbetën të lënduar.