Champions, Espirito Santo nuk e quan të mbyllur sfidën me Juventusin

Sport

espirittusantos

Porto humbi 2-0 përballjen e parë me Juventusin, por trajneri Nuno Espirito Santo refuzoi ta konsideronte këtë rezultat një eliminim të parakoshëm nga Champions League-a. Optimizmi i teknikut portugez ishte i pranishëm pas ndeshjes edhe pse të tijët e mbyllën me 10-të lotjarë. “E dimë se futbolli është një sport që të ofron mundësi të pafundme rezultatesh, ndaj dhe ne nuk dorëzohemi. Sigurisht të përmbysësh një rezultat të tillë në Torino është e vështirë, por them se s’është e pamundur. Përballja s’është mbyllur këtu!” – theksoi Espirito Santo, i cili falenderoi tifozët e Portos për mbështetjen që i dhanë skuadrës edhe pse pjesën më të madhe të ndeshjes e luajtën në mbrojtje dhe me një lojtar më pak. “Lojtarët bënë ç’ishte e mundur dhe vuajtën goxha lojën e kundërshtarit, por falë tifozëve gjërat ishin disi më të përballueshme” – shtoi trajneri i Portos. Në sfidën e Do Dragaos, ëndrra e Andre Silvas për t’i shënuar Gianluigi Buffonit, përfundoi në minutë ne 30-të, pas daljes me të kuq të Telles. Silva u zëvendësua për t’i lënë vend mbrojtësit Layun, i cili u hodh në fushë për të balancuar skuadrën. Edhe pse e përjetoi me lot faktin se nuk mundi ta ndihmojë më shumë Porton, ai tha pas sfidës se në ndeshjen e kthimit do të jepte maksimumin. I vëzhguar nga Arsenali, Chelsea, United dhe Reali i Madridit, 21-vjecari portugez do të ketë dhe një herë shans për t’u përballur me Buffon më 14 mars sfidë që riluhet në Juventus Stadium. Në Portugali shpresojnë shumë që Silva të vijë në këtë ndeshje me një formë edhe më të mirë.