Champions, e marta me super-sfidat Juve-Real, Sevilla-Bayern

Sport

UEFA Champions League 1
Çerekfinalet e UEFA Champions League nisin fillë me një super-sfidë sikurse ajo mes Juventusit dhe Realit të Madridit. Finalja e vitit të kaluar luhet më shpejt këtë sezon dhe bardhezinjtë kanë shansin për revansh. Të martën italianët presin kampionët në fuqi në Torino, atje ku humbja e fundit për ta është pësuar nga Lazio më 14 tetor. Me një formë të jashtëzakonshme skuadra e Allegrit shfaqet më e pjekur se vitin e kaluar ndërsa Reali i Zidane ka pasur shumë ulje-ngritje, por Championsin nuk e ka lëshuar aspak. Të martën mungojnë Benatia dhe Pjanic të pezulluar ndërsa në mëdyshje është Mandzukic. Fitorja me Milanin i ka ngjallur më tepër optimizëm skuadrës ndërsa në anën tjetër Zidane ka rikuperuar Iscon dhe Ramosin. Ronaldo ka pushuar dhe do jetë gati për t’u përballur sërish me Buffon. Të martën në Ramon Sanchez Sevilla e Montellas pret Bayernin. Pasi eliminuan United-in, andaluzët nuk kanë se çfarë të humbasin dhe luajnë pa presione. Barazimi 2-2 me Barcelonën në fundjavë vërtetoi edhe njëherë kapacitetet e skuadrës, por Bayerni i Heynckes është padyshim favoriti. Gjermanët vijnë pasi shkatërruan 6-0 Dortmundin dhe premtojnë të tjera gola në Champions. Për spanjollët nuk luan Banega, i pezulluar, ndërsa në mëdyshje janë Corchia dhe Jose Mena. Në anën tjetër përvec Neuer i lënduar prej kohësh, të lënduar janë edhe Bernat, Coman dhe Vidal.