Champions, Dzeko kritikon arbitrin holandez për penalltinë e padhënë

Sport

Edin Dzekos

Rezultati në Camp Nou ishte i rëndë për Romën, por sipas Edin Dzekos arbitri i ndeshjes Danny Makkelie duhej të ishte treguar më i guximshëm dhe t’i kishte dhënë verdhekuqve atë penallti që ai e kërkoi aq shumë në fillim të takimit. “Ishte një njëmbëdhjetëmetërsh që nëse do të jepej do të kishte ndryshuar takimin. Sigurisht e dimë se Barcelona është më e fortë por edhe arbitri duhej të tregohej më i guximshëm për të dhënë një penallti kundër tyre, pasi po luanim në çerekfinale, të dyja skuadrat kanë arritur me meritë deri këtu, prandaj duhet të vërshëllesh 50 me 50” – tha boshnjaku fillë pas ndeshjes të cilën Roma e humbi 4-1. Më tej sulmuesi kryesor i verdhekuqve theksoi se kundër një skuadre si Barça nuk të tolerohen gabimet dhe ndeshja e së mërkurës e provoi këtë gjë. Tani pas kësaj humbje, Roma rinis gjithcka nga përballja me Fiorentinën në Serie-A, të cilën Dzeko e cilësoi si vendimtare për të siguruar prezencën për në Champions League, sezonin e ardhshëm. “Si fillim do mendojmë për Fiorentinën, sepse nëse duam të luajmë sërish në të tilla nivele duhet të fitojmë me Fioren, ky duhet të jetë objektivi e më pas të mendojmë për ndeshjen e kthimit”. Në Serie-A, Roma ndodhet në vendin e 3-të me 60 pikë, 1 më shumë se Interi dhe 3 më tepër se Lazio i vendit të pestë.